Secondary Adv

Energjia mban në këmbë eksportet, importet sërish me rënie në gusht

Eksportet këtë 8-mujor u rritën me 3.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa importet janë ulur me 2.1% krahasuar me vjet.

Të dhënat e INSTAT për importin dhe eksportin e mallrave tregojnë se në Gusht 2025 eksportet arritën vlerën 25 mld lekë, duke u rritur me 12,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 27,9 %, në krahasim me muajin Korrik 2025, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 67 mld lekë, duke u ulur me 2,7 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 19,6 %, në krahasim me muaji Korrik 2025.

 

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 42 mld lekë, duke u ulur me 10,2 %, krahasuar me Gusht 2024 dhe me 13,5 %, në krahasim me Korrik 2025.

 

Në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 264 mld lekë, duke u rritur me 3,5 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 582 mld lekë, duke u ulur me 2,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 318 mld lekë, duke u ulur me 6,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.

 

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

 

Gjatë muajit Gusht 2025, në rritjen e eksporteve prej 12,9 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +18,9 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,5 pikë përqindje, etj. Negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,7 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0,6 pikë përqindje, etj.

 

Nga ana tjetër Eksportet, gjatë këtij tetëmujori janë rritur me 3,5 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,0 pikë përqindje,

 

“Ushqime, pije, duhan” me +1,1 pikë përqindje, etj. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,4 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0,7 pikë përqindje“, etj.

 

Sipas të dhënave, gjatë muajit Gusht 2025, në uljen e importeve prej 2,7 %, krahasuar me një vit më parë, kanë ndikuar negativisht grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi ” me -1,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale me -1,2 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,0 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0,6 pikë përqindje.

 

Si tetëmujor, importet janë ulur me 2,1 %, krahasuar me tetëmujorin e parë 2024. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,2 pikë përqindje,etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +0,6 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,5 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,2 pikë përqindje.

 

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

 

Në muajin Gusht 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2024 janë: Kosova (94,6 %), Greqia (19,0 %), Spanja (4 herë) etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet

 

kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (19,6 %), Gjermania (16,1 %), etj. Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (75,0 %), Greqia (10,4 %) Gjermania (6,0 %) etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (10,8 %), Kina (5,8 %), dhe Maqedonia e Veriut (30,9 %).

 

Në muajin Gusht 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, janë: Italia (9,8 %), Turqia (18,1 %) dhe Gjermania (9,0 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kina (18,3 %), Greqia (6,1 %) dhe Kosova (9,5 %).

 

Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (4,3 %), Turqia (15.0 %) dhe Gjermania (7,0 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritje më të madhe janë: Kina (21,3 %), Greqia (3,1 %) dhe Spanja (14.0 %)

 

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 48,8 %, të gjithë tregtisë. Në Gusht 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 56,5 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 45,9 % të importeve gjithsej.

 

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (18,8 %), Kina (12,9 %), Kosova (8,6 %) Turqia (7,6 %).

 

Shkëmbimet tregtare, për tetëmujorin e parë 2025, me vendet e BE-së zënë 55,8 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar-Gusht 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 66,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,1 % të importeve gjithsej.

 

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (26,0 %), Kina (9,7 %), Greqia (7,6 %) dhe Turqia (7,2 %)./ekofin.al


Më të lexuarat